Skip to content

Merret një vendim i ri për Hashim Thaçin

Haga vazhdon paraburgimin e Hashim Thaçit në rastin për administrimin e drejtësisë

 

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të vazhdojnë masën e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të rastit ku ai, së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

 

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjyqtari i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell.

 

Sipas vendimit, gjyqtari ka vlerësuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe që Thaçi mund të ndikojë në ecurinë e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale. Për vlerësimin e masës së paraburgimit është marrë parasysh edhe vendimi i fundit në çështjen për krime lufte.

 

Gjykatësi ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit mbetet i nevojshëm dhe proporcional, ndërsa nevoja për rishikimin periodik të masës vazhdon të jetë në fuqi.

 

Në rastin për administrimin e drejtësisë, më 14 shtator 2026 palët kanë përfunduar paraqitjen e fjalëve përfundimtare. Në seancën fillestare, të mbajtur më 27 shkurt 2026, Thaçi, Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave.

 

Rasti lidhet me pretendime për ndërhyrje në administrimin e drejtësisë dhe ndikim të mundshëm te dëshmitarët. Sipas aktakuzës, Thaçi dhe persona të tjerë akuzohen se kanë ndërmarrë veprime që synonin të pengonin zyrtarët në kryerjen e detyrave të tyre dhe të ndikonin në proceset gjyqësore.

 

Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Përveç këtij rasti, ai është përballur edhe me procesin gjyqësor për krime lufte.

 

Në kuadër të çështjes për administrimin e drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan në Kosovë më 5 dhjetor 2024 dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara një ditë më vonë. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në Hagë po më 5 dhjetor 2024, ndërsa Hajredin Kuçi u paraqit para gjykatës më 9 dhjetor.

 

Sipas aktakuzës, Thaçi akuzohet për tri pika për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.

 

Ndërkaq, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu përballen me akuza për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi akuzohet për dy vepra të mosbindjes ndaj gjykatës.

Published inNews Shqip