**Rama: Shqipëria pranë BE-së, nuk duhet humbur momenti historik**
Në fjalën e tij përmbyllëse nga Pallati i Kongreseve, kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian dhe se qytetarët nuk duhet të humbasin besimin pikërisht kur vendi është më pranë se kurrë anëtarësimit.
Rama u bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin procesin e integrimit, duke e cilësuar atë si një mision kombëtar që kërkon unitet dhe vendosmëri. Sipas tij, sot patriotizmi shprehet duke kontribuar për ta çuar Shqipërinë në familjen europiane.
Kreu i qeverisë deklaroi se jo të gjithë e mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke shtuar se edhe brenda vendit ekzistojnë forca politike që, sipas tij, nuk e duan këtë proces.
“Duhet të qëndrojmë të fokusuar te objektivi ynë dhe të mos lejojmë që ky moment historik të na rrëshqasë nga duart. Nuk bëhet fjalë për të fshehur problemet apo të metat, por për të mbajtur sytë te qëllimi final dhe për të përfunduar me sukses këtë etapë të rëndësishme”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se rruga drejt anëtarësimit nuk do të jetë e lehtë, por nënvizoi se Shqipëria ndodhet në fazën përfundimtare të procesit dhe se përpjekjet duhet të vazhdojnë deri në realizimin e objektivit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.