Temperaturat përvëluese të verës po shtojnë shqetësimin e mjekëve, të cilët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj vapës mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin. Një nga rreziqet më të mëdha mbetet goditja nga i nxehti, e cila në raste të rënda mund të rrezikojë edhe jetën.
Mjekët e Urgjencës Polivalente në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) bëjnë të ditur se goditja nga i nxehti mund të shkaktojë komplikacione të rënda, si humbje të vetëdijes apo gjendje komatoze, nëse nuk ndërhyhet në kohë.
Edhe pse deri tani nuk janë regjistruar raste të tilla këtë sezon, specialistët kujtojnë se ato kanë qenë të pranishme në vitet e kaluara. Ata theksojnë se situata po monitorohet vazhdimisht, ndërsa fluksi i pacientëve në urgjencë mbetet i lartë.
Çdo ditë në Urgjencën Polivalente paraqiten mbi 400 pacientë, ku pjesa më e madhe janë persona që vuajnë nga sëmundje kronike. Temperaturat e larta mund të përkeqësojnë gjendjen e tyre shëndetësore, ndaj mjekët rekomandojnë shmangien e daljes në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, hidratim të vazhdueshëm dhe respektimin e masave mbrojtëse.
Thirrje për kujdes kanë bërë edhe ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët u bëjnë apel qytetarëve të marrin masa parandaluese për t’u mbrojtur nga efektet e vapës ekstreme.
Sipas tyre, më të rrezikuarit janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën moshën 5 vjeç, të cilët duhet të shmangin ekspozimin e panevojshëm në temperatura të larta dhe të tregojnë kujdes të veçantë gjatë ditëve të nxehta.

Be First to Comment