MOTI PËR TË MARTËN/ VAZHDON I NXEHTË, POR NUK MUNGojnë RESHJET LOKALE
Dita e martë pritet të karakterizohet kryesisht nga mot i kthjellët në pjesën më të madhe të vendit. Gjatë mesditës dhe orëve të pasdites do të shfaqen vranësira të pakta deri në mesatare, veçanërisht në zonat kodrinore dhe malore.
Në relievet malore të lindjes dhe juglindjes së territorit nuk përjashtohen reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët, të cilat pritet të shfaqen gjatë mesditës dhe pasdites.
Ndërkohë, në atmosferë do të vijojë të ketë përqendrim të lartë të grimcave të rërës dhe pluhurit, duke ndikuar në cilësinë e ajrit dhe në dukshmëri.
Temperaturat do të mbeten të larta për stinën. Minimalet parashikohen rreth 19°C, ndërsa maksimalet mund të arrijnë deri në 37°C.
Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe verilindja, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në vijën bregdetare, veçanërisht në jugperëndim, si dhe në zonat luginore, era mund të forcohet deri në 14 m/s.
Në përgjithësi, e marta sjell mot të nxehtë dhe kryesisht të qëndrueshëm, por me mundësi për reshje të dobëta lokale në zonat malore.
