Skip to content

Nga 1 dhjetori hyjnë në fuqi rregullat e reja për pushimet mjekësore – çfarë ndryshon

Rregulla të reja për pushimet mjekësore në Maqedoninë e Veriut nga 1 dhjetori

Nga 1 dhjetori do të hyjë në fuqi rregullorja e re që përcakton mënyrën e dhënies dhe kontrollit të pushimeve mjekësore në Maqedoninë e Veriut. Ndryshimet përfshijnë kompetencat e mjekëve amë, kohëzgjatjen e pushimit për diagnoza të caktuara, si dhe mënyrën e verifikimit të rasteve.

Me rregullat e reja, mjeku amë do të mund të caktojë pushim mjekësor pa rekomandim specialisti për një periudhë deri në pesë ditë. Aktualisht, kjo periudhë është deri në shtatë ditë.

Për disa diagnoza specifike parashikohet një afat më i gjatë, deri në 15 ditë, në rast se pacienti ka kryer analizat laboratorike të nevojshme. Në këtë kategori përfshihen gripi, infeksionet akute të rrugëve të frymëmarrjes, enteritet virale, si dhe disa probleme gjinekologjike.

Rregullorja përfshin gjithashtu një dispozitë për pacientet që kanë rezultat pozitiv pas procedurave të fekondimit të asistuar (IVF). Në këto raste, pushimi mjekësor mund të përcaktohet për një periudhë deri në tre muaj.

Më shumë kërkesa për kontroll të pushimeve mjekësore

Të dhënat e Fondit të Sigurimit Shëndetësor tregojnë se gjatë periudhës 2021–2025 numri i pacientëve është rritur me 6.7%, ndërsa pushimet mjekësore të hapura janë shtuar me 33.4%.

Vetëm gjatë këtij viti janë paraqitur 326 kërkesa për kontrolle të jashtëzakonshme. Nga këto, 110 raste lidhen me persona të punësuar në sektorin publik, ndërsa 56 me punonjës të sektorit privat.

Fondi ka raportuar gjithashtu se gjatë kontrolleve janë konstatuar raste ku persona që ndodheshin zyrtarisht në pushim mjekësor janë parë në plazhe apo në ceremoni martesore.

Lehtësime për kategori të caktuara pacientësh

Rregullorja e re parashikon edhe përjashtime për persona që ndodhen në situata të veçanta shëndetësore. Për pacientët e hospitalizuar, personat me sëmundje të rënda, ata që marrin trajtim jashtë vendit, si dhe për shoqëruesit e fëmijëve nën tre vjeç, prania fizike te mjeku apo komisioni nuk do të jetë gjithmonë e domosdoshme.

Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor kanë sqaruar se sistemi i ri i kontrolleve nuk nënkupton vendosjen e personave në pushim mjekësor nën një regjim të ngjashëm me “arrestin shtëpiak”.

Ndërkohë, institucionet po shqyrtojnë edhe mundësinë e shkëmbimit elektronik të informacionit me institucione të tjera. Një nga të dhënat që mund të verifikohet në të ardhmen është edhe nëse një person që ndodhet në pushim mjekësor ka dalë jashtë territorit të shtetit.

Sindikatat dhe mjekët amë ngrenë shqetësime

Sindikatat kërkojnë që në rastet e pushimeve mjekësore të pajustifikuara përgjegjësia të mos bjerë vetëm mbi punonjësit, por të shqyrtohet edhe roli i mjekëve që i kanë lëshuar ato.

Edhe mjekët amë kanë shprehur shqetësime lidhur me zbatimin e rregullave të reja. Sipas tyre, në praktikën e përditshme ka raste kur pacientët ushtrojnë presion për të përfituar pushim mjekësor.

Ata paralajmërojnë se shkurtimi i periudhës që mund të përcaktohet drejtpërdrejt nga mjeku amë dhe nevoja për referime më të shpeshta te specialistët mund të sjellin vështirësi të tjera, sidomos për shkak të numrit të lartë të pacientëve dhe termineve të kufizuara në sistemin shëndetësor.

Qëllimi i rregullores së re është forcimi i kontrollit mbi përdorimin e pushimeve mjekësore, si dhe përcaktimi më i qartë i procedurave dhe përgjegjësive të mjekëve dhe institucioneve shëndetësore.

Published inNews Shqip