Qytetarë janë mbledhur sërish para Kryeministrisë, në protestën e 93-të, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kanë ngritur shqetësime për një sërë çështjesh që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme, mes tyre arsimin, shëndetësinë, pronën, ujin dhe energjinë elektrike.
Gjatë tubimit, aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se protestat do të vijojnë edhe gjatë muajit shtator, ndërsa paralajmëroi një pjesëmarrje edhe më të madhe në ditët në vijim.
“Shtatori do të na gjejë më të bashkuar, më të shumtë në numër dhe gati për aksionin e radhës, derisa qeveria të largohet”, u shpreh Kokaj.
Ajo renditi disa prej kërkesave të protestuesve, duke vënë theksin te nevoja për ndryshime në arsim dhe punësim. Sipas saj, vendet e punës duhet të ndahen mbi bazën e meritës dhe jo të ndikimeve të tjera.
“Duhet të kemi një sistem arsimor ku fëmijët të arsimohen me krenari. Duhet të kemi meritokraci, ku ata që e meritojnë të marrin vendin e punës”, deklaroi aktivistja.
Kokaj kritikoi gjithashtu gjendjen e sistemit shëndetësor, duke kërkuar që shërbimet mjekësore të jenë të orientuara drejt nevojave të qytetarëve.
“Duhet të kemi një sistem shëndetësor që t’u shërbejë qytetarëve. Doktorët nuk duhet t’i shikojnë pacientët nga xhepat”, tha ajo.
Një tjetër pikë e ngritur gjatë protestës ishte funksionimi i shërbimeve sociale dhe drejtësisë. Aktivistja kërkoi që drejtësia të jetë e aksesueshme për të gjithë dhe që çështjet e pronës të zgjidhen në mënyrë të drejtë.
“Duhet të kemi një Shqipëri ku shërbimi social funksionon, ku drejtësia nuk është luks dhe ku prona t’i shkojë të zotit që i takon”, u shpreh Kokaj.
Protestuesit kanë ngritur gjithashtu shqetësime për probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
Në qendër të protestës mbetet kërkesa politike për largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se tubimet do të vazhdojnë edhe gjatë shtatorit.
