Detaje të reja janë bërë publike nga mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar të premten, ku raportohet se nuk kanë munguar debatet dhe përplasjet mes kryeministrit Edi Rama, deputetëve socialistë dhe ministrave.
Sipas raportimeve, momenti më i tensionuar ka qenë përplasja mes kryeministrit Rama dhe deputetit Erion Braçe. Pas debatit me tone të larta, Braçe është larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja, pavarësisht përpjekjeve të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për të qetësuar situatën.
Gjatë mbledhjes, kritika janë adresuar edhe ndaj disa ministrave. Mësohet se Rama ka shprehur pakënaqësi ndaj ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, për mënyrën e menaxhimit të protestave. Po ashtu, kritika ka marrë edhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, lidhur me një rast të përmendur më herët nga vetë kryeministri, ku një kërkesë e një qytetari për investim kishte mbetur pa përgjigje për tre vite.
Kryeministri është ndalur edhe te konfliktet e brendshme në PS, duke përsëritur thirrjen për t’i dhënë fund përplasjeve mes socialistëve.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë se sulmet mes njëri-tjetrit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ulin aksionet e ndërmarrjes sonë të përbashkët dhe, rrjedhimisht, edhe aksionet e secilit prej jush”, është shprehur Rama.
Debati me Braçen nisi pasi deputeti socialist kundërshtoi mënyrën se si u votuan në Kuvend anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), duke theksuar se deputetët u kërkua të votonin kandidatë pa pasur diskutim apo njohje paraprake për ta.
“Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur”, citohet të ketë thënë Braçe.
Në përgjigje, Rama ka theksuar se kandidatët ishin propozim i qeverisë dhe se procedura lidhej me një kërkesë të Bashkimit Evropian.
“Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend”, raportohet të jetë përgjigjur kryeministri.
Sipas raportimeve, debati u përshkallëzua më tej, ndërsa Rama iu drejtua Braçes me tone të ashpra. Më pas ai u ka dërguar edhe një mesazh deputetëve socialistë, duke paralajmëruar se do të marrë masa ndaj kujtdo që nuk respekton disiplinën brenda grupit.
Kjo nuk është hera e parë që mbledhjet e Grupit Parlamentar të PS-së shoqërohen me tensione. Edhe në raste të mëparshme janë raportuar përplasje mes kryeministrit Rama dhe deputetëve socialistë, si dhe paralajmërime për masa disiplinore ndaj anëtarëve të grupit.


Be First to Comment