Skip to content

Posta në krizë, shkarkohet drejtoresha pas dyshimeve për zhdukjen e 3 milionë eurove

Shkarkohet drejtoresha e Postës së Durrësit, dyshime për abuzim me fondet prej miliona eurosh

Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra, ndërsa ndaj saj është bërë kallëzim penal nga drejtuesit e Postës Shqiptare, pas një kontrolli të kryer në këtë filial, ku janë evidentuar dyshime për abuzime financiare.

Sipas njoftimit zyrtar të Postës Shqiptare, gjatë verifikimeve janë konstatuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Institucioni ka bërë me dije se ka marrë masa të menjëhershme administrative ndaj personave përgjegjës dhe e ka referuar çështjen në Prokurori.

Dyshimet lidhen me një mungesë financiare që arrin deri në rreth 3 milionë euro. Gjatë rakordimit të arkës në fund të muajit, fillimisht u evidentua një diferencë prej rreth 1 miliard lekësh, ndërsa pas kontrolleve më të thelluara rezultoi se vlera e mungesave mund të ishte edhe më e lartë.

Përveç Elisabeta Matajt, mësohet se ka dhënë dorëheqjen edhe drejtuesja e financës së filialit, Valbona Hoti Duni.

Posta Shqiptare ka sqaruar se fondet për të cilat janë konstatuar problematika nuk kanë lidhje me pagesat e pensioneve apo fondet e pensionistëve. Institucioni deklaron se po bashkëpunon me organet ligjzbatuese për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe se përgjegjësitë individuale do të përcaktohen nga drejtësia.

Sipas Postës Shqiptare, ky rast është zbuluar përmes mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe institucioni ka deklaruar se do të ndjekë një politikë me “tolerancë zero” ndaj çdo abuzimi me fondet.

Elisabeta Mataj ishte emëruar në drejtimin e filialit të Postës në Durrës në tetor të vitit 2025, pas largimit të drejtueses së mëparshme Etleva Budini, e cila mori mandatin e deputetes në zgjedhjet e 11 majit.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *