Skip to content

Qyteti që po zbrazet dita-ditës, të rinjtë po largohen masivisht

Ballshi po humbet identitetin e tij, papunësia dhe emigrimi zbrazin qytetin

Dikur i njohur si qyteti i naftëtarëve, Ballshi sot po përballet me një realitet krejt ndryshe. Pas mbylljes së uzinës së përpunimit të naftës, qindra punëtorë mbetën pa punë, ndërsa ekonomia lokale pësoi një goditje të fortë.

Në rrugët e qytetit shihen gjithnjë e më shumë shtëpi dhe ambiente biznesi të nxjerra në shitje ose me qira, ndërsa numri i të rinjve po zvogëlohet nga viti në vit. Banorët thonë se mungesa e vendeve të punës ka detyruar shumë familje të largohen drejt emigracionit në kërkim të një jete më të mirë.

Sipas tyre, mbyllja e industrisë dhe mungesa e investimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen ekonomike të qytetit. “Fabrikat u shkatërruan dhe bashkë me to u shuan edhe mundësitë për punësim”, shprehen banorët.

Shifrat tregojnë qartë ndikimin e emigrimit. Vetëm gjatë një viti, 395 nxënës janë larguar nga kopshtet dhe shkollat e Mallakastrës, një tregues i fortë i tkurrjes së popullsisë në zonë.

Vështirësi po përjetojnë edhe të moshuarit, të cilët ankohen se pensionet e ulëta nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet bazë, përfshirë ilaçet dhe kujdesin shëndetësor. Ndërkohë, mungesa e mjekëve specialistë në spitalin lokal i detyron shumë prej tyre të udhëtojnë drejt Fierit për të marrë shërbimet e nevojshme mjekësore.

Ballshi mbetet sot një nga shembujt më të qartë të sfidave me të cilat përballen qytetet e vogla shqiptare, ku papunësia, emigrimi dhe mungesa e shërbimeve po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e banorëve.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *