Kryeministri Edi Rama ka kritikuar mënyrën se si Partia Socialiste dhe administrata publike kanë komunikuar me qytetarët, duke pranuar se në shumë raste mesazhet e mazhorancës janë perceptuar si arrogante.
Gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, Rama u ndal te rezultati i zgjedhjeve, duke theksuar se fitorja me 83 mandate përbën njëkohësisht një avantazh dhe një përgjegjësi të madhe.
Ai vuri theksin te nevoja për më shumë ndjeshmëri në komunikimin me qytetarët, duke paralajmëruar se mungesa e empatisë nga ana e administratës po ndikon negativisht në perceptimin e punës së qeverisë.
Sipas Ramës, edhe arritjet konkrete humbasin vlerën kur komunikohen në një mënyrë që perceptohet si përçmuese apo arrogante.
“Nuk mjafton të kemi të drejtë në atë që themi. Nëse e vërteta përcillet pa empati, ajo mund të zbehet përballë një gënjeshtre të thënë me ndjeshmëri”, u shpreh ai.
Kryeministri kritikoi ashpër edhe sjelljen e disa funksionarëve të administratës, duke përdorur një gjuhë të fortë për të përshkruar mënyrën se si, sipas tij, ata u drejtohen qytetarëve. Ai theksoi se një qasje e tillë është e papranueshme dhe se administrata duhet të jetë më pranë njerëzve, duke i trajtuar me respekt dhe mirëkuptim.


Be First to Comment