Në mbledhjen e përbashkët të qeverisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të premte, kryeministri Edi Rama e përqendroi fjalën e tij tek sjellja e administratës publike, duke e cilësuar “arrogancën” ndaj qytetarëve si një nga arsyet kryesore të pakënaqësive dhe protestave të fundit.
Sipas burimeve të cituara nga “Boldnews.al”, pas pjesës së hapur për mediat, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura, ku situata u tensionua pas ndërhyrjes së deputetit Erion Braçe.
Braçe mësohet se kundërshtoi që përgjegjësia për sjelljen e administratës t’u faturohej vetëm nëpunësve, duke argumentuar se mënyra e drejtimit dhe emërimet në poste kyçe burojnë nga drejtimi i partisë. Ai shprehu shqetësimin se në funksione të rëndësishme janë vendosur persona që, sipas tij, nuk kanë lidhje me strukturat e PS-së dhe nuk janë konsultuar me bazën e partisë.
Burimet pretendojnë se këto deklarata kanë shkaktuar reagimin e kryeministrit Rama, ndërsa mes dy socialistëve është zhvilluar një debat me tone të larta. Sipas të njëjtave burime, Rama i ka kërkuar Braçes të ndalonte, ndërsa deputeti ka vijuar të mbrojë qëndrimin e tij, duke kritikuar mënyrën e emërimeve dhe mungesën e konsultimit.
Më tej, situata është tensionuar edhe më shumë, çka ka sjellë ndërhyrjen e kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili ka propozuar një pushim të shkurtër për të qetësuar atmosferën.
Pas rifillimit të mbledhjes, Rama ka mbajtur edhe disa minuta fjalë dhe më pas është larguar nga salla. Sipas burimeve të njëjta, largimi i tij bëri që të mos zhvillohej as dreka e planifikuar me deputetët dhe ministrat.


Be First to Comment