Teksa protesta qytetare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në opinionin publik, kryeministri Edi Rama ka aktivizuar strukturat e Partisë Socialiste me një plan të ri komunikimi për menaxhimin politik të situatës.
Një dokument i brendshëm, i shpërndarë te deputetët dhe drejtuesit socialistë, përcakton mesazhet dhe qasjen që duhet të ndjekin përfaqësuesit e maxhorancës në daljet publike. Në udhëzime kërkohet shmangia e gjuhës së ashpër, arrogancës dhe cinizmit, duke u fokusuar te mirëkuptimi ndaj qytetarëve.
Dokumenti këshillon gjithashtu që protesta të mos sulmohet si fenomen dhe as pjesëmarrësit e saj, por të vihet theksi te individë apo grupe të caktuara që, sipas maxhorancës, mund të kenë qëllime politike ose manipuluese.
Në udhëzim pranohet se protesta ka karakter qytetar dhe vlerësohen pjesëmarrësit që angazhohen në mënyrë të sinqertë. Megjithatë, dokumenti nxit ndërtimin e një narrative për praninë e elementëve manipulativë, të lidhur sipas tij me forca opozitare brenda dhe jashtë vendit.
Mes referencave të përmendura në dokument figuron edhe Irani, si pjesë e argumenteve që synojnë të shpjegojnë ndikimet e mundshme të jashtme në protestë.