Shqiptari që synon Kongresin Amerikan, Robert Lulgjuraj shpall kandidaturën në SHBA
“Ka ardhur koha që një shqiptar të jetë pjesë e Kongresit Amerikan.” Me këtë mesazh, Robert Lulgjuraj ka bërë të qartë ambicien e tij për të hyrë në historinë e politikës amerikane.
Prokurori me origjinë shqiptare dhe anëtar i Partisë Republikane ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në vitin 2026, ku synon të përfaqësojë Distriktin e 10-të të shtetit të Michiganit.
Familja e Lulgjurajt i ka rrënjët në trojet shqiptare në Mal të Zi. Gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan drejt Shteteve të Bashkuara në vitet ’60, në kërkim të lirisë dhe mundësive më të mira, duke iu larguar regjimit komunist dhe persekutimit fetar.
Karriera e tij akademike dhe profesionale është ndërtuar ndër vite me përkushtim. Në vitin 2015 ai përfundoi studimet në fushën e Biznesit dhe Shkencave Humane, ndërsa në vitin 2020 mori diplomën e doktoraturës në drejtësi nga një prej institucioneve të njohura juridike në Detroit.
Interesi për politikën u shfaq që në moshë të re. Gjatë viteve të studimit, ai drejtoi organizatën e të rinjve republikanë në qarkun Macomb, ku u dallua për angazhimin dhe vizionin e tij politik.
Pas diplomimit, Lulgjuraj nisi karrierën si avokat në Detroit, duke trajtuar çështje komplekse penale, përfshirë raste të krimeve të rënda, trafikimit të lëndëve narkotike dhe dhunës së organizuar.
Më vonë, në detyrën e prokurorit në qarqet Wayne dhe Macomb, ai ka ndjekur mbi 2 mijë çështje penale, duke fituar përvojë të gjerë në luftën kundër krimit dhe në zbatimin e ligjit.
Kandidatura e tij shihet si një hap i rëndësishëm për përfaqësimin e komunitetit shqiptaro-amerikan në institucionet më të larta të politikës amerikane.


Be First to Comment