Superkompjuteri i Opta nxjerr favoritin për Botërorin 2026, Spanja kryeson parashikimet
Botërori 2026 po afrohet dhe analizat e para statistikore kanë nisur të japin një panoramë mbi skuadrat favorite për trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror.
Sipas superkompjuterit të Opta, i cili ka realizuar 10 mijë simulime të ndryshme të turneut, kombëtarja e Spanjës konsiderohet favoritja kryesore për të fituar Kupën e Botës 2026. “La Roja” ka 16.1% mundësi për të ngritur trofeun, duke lënë pas rivalët kryesorë në garën për titull.
Pas Spanjës renditet Franca me 13% shanse për triumf, e ndjekur nga Anglia me 11.2% dhe Argjentina me 10.4%. Këto katër përfaqësuese shihen si pretendentet më serioze për të mbërritur deri në finalen e madhe.
Ndërkohë, Portugalia, Brazili dhe Gjermania mbeten në mesin e skuadrave që mund të surprizojnë. Portugalia ka 7% mundësi për të fituar turneun, Brazili 6.6%, ndërsa Gjermania 5.1%.
Opta vlerëson se Spanja ka mbi 50% shanse për të arritur në çerekfinale dhe 25.6% mundësi për të siguruar një vend në finalen e madhe. Besimi i lartë te spanjollët lidhet edhe me formën e shkëlqyer të brezit të ri të futbollistëve, ku spikat talenti i Lamine Yamal, së bashku me emra si Rodri, Pedri, Ferran Torres, Mikel Oyarzabal dhe Mikel Merino.
Nga ana tjetër, Argjentina do të mbrojë titullin e fituar në Katar, me Lionel Messin që pritet të ketë sërish një rol të rëndësishëm në skuadër. Franca synon një tjetër paraqitje të madhe, ndërsa Anglia dhe Brazili kërkojnë t’i japin fund pritjes së gjatë për një tjetër kurorë botërore.
Sipas simulimeve të Opta, ekziston vetëm një mundësi prej 35.9% që Botërori 2026 të fitohet nga një kombëtare që nuk e ka fituar kurrë më parë trofeun.
