Milot–Balldren, koncesioni 365 milionë euro ngre pikëpyetje! Dy kompani të konsorciumit fitues lidhen me hetime të SPAK
Projekti Milot–Balldren, me një vlerë të parashikuar prej rreth 365 milionë eurosh për 35 vjet, rikthehet në qendër të vëmendjes pas shpalljes së konsorciumit fitues nga Ministria e Infrastrukturës.
Rruga, e gjatë 17 kilometra, do të ndërtohet dhe mirëmbahet nga një grup prej katër kompanish private. Sipas dokumenteve të prokurimit, rreth 182.5 milionë euro janë parashikuar për ndërtim dhe rehabilitim, ndërsa pjesa tjetër do të mbulojë projektimin, operimin dhe mirëmbajtjen.
Konsorciumi fitues përfshin kompanitë “Salillari”, “ALB TIEFBAU”, “InfraKonsult” dhe “ERALD-G”. Projekti parashikon edhe ndërtimin e një tuneli me dy tuba, me gjatësi rreth 850 metra secili, për të shmangur qytetin e Lezhës.
Pikëpyetjet lidhen me dy prej kompanive pjesëmarrëse në konsorcium. Sipas raportimeve, emrat e Gëzim Ismailit dhe Redi Strugës janë përmendur në hetime të SPAK-ut për çështje të ndryshme. Këto janë hetime në zhvillim dhe nuk përbëjnë konstatim fajësie.
Ndërkohë, detaje të rëndësishme të marrëveshjes mbeten ende të paqarta, përfshirë vlerën përfundimtare të kontratës, ndarjen e pjesëmarrjes së kompanive dhe planin financiar të ofertës fituese.
Milot–Balldren nuk është një projekt i ri. Në vitin 2018, koncesioni iu dha kompanisë ANK, por kontrata u ndërpre më vonë për shkak të problemeve me financimin.
Tashmë, pas tetë vitesh, projekti rikthehet me një konsorcium të ri dhe një vlerë të parashikuar prej rreth 365 milionë eurosh, duke ngritur diskutime mbi transparencën, kostot dhe përfshirjen e kompanive të lidhura me persona të përmendur në hetime.
