Një tërmet me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter goditi pasditen e së enjtes zonën pranë ishullit të Karpathos në Greqi. Lëkundja u regjistrua pak pas orës 14:00 sipas orës lokale dhe u ndje në disa zona përreth, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe turistët.
Sipas Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës, epiqendra e tërmetit u lokalizua rreth katër kilometra në veriperëndim të ishullit të Karpathos.
Tërmeti kishte një thellësi fokale prej rreth 10 kilometrash, çka e klasifikon atë si një lëkundje relativisht të cekët. Për këtë arsye, dridhjet janë ndjerë më fuqishëm në zonat pranë epiqendrës.
Deri më tani, autoritetet greke nuk kanë raportuar për viktima apo dëme materiale. Shërbimet përgjegjëse po monitorojnë situatën, ndërsa sizmologët vijojnë të ndjekin zhvillimet për të evidentuar çdo aktivitet të mëtejshëm sizmik.
Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve dhe vizitorëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë udhëzimet zyrtare në rast të lëkundjeve të tjera.

Be First to Comment