**Masakër familjare në SHBA: 52-vjeçari dyshohet se vrau gjashtë të afërm dhe më pas veten**
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Muscatine në shtetin e Ajovës, SHBA, ku një 52-vjeçar dyshohet se ka vrarë gjashtë persona të familjes së tij përpara se t’i japë fund jetës.
Sipas autoriteteve amerikane, policia u njoftua për të shtëna me armë zjarri në një banesë. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët gjetën katër persona të pajetë brenda shtëpisë.
I dyshuari, Ryan Willis McFarland, ishte larguar nga zona para mbërritjes së policisë. Pas një operacioni kërkimi, ai u lokalizua pranë një ure këmbësorësh buzë lumit në Muscatine. Autoritetet bëjnë të ditur se në momentin kur policia tentoi ta ndalonte, ai kreu vetëvrasje.
Gjatë hetimeve të mëtejshme, policia zbuloi edhe dy viktima të tjera në lokacione të ndryshme të qytetit, një në një banesë dhe një tjetër në një biznes lokal. Dyshohet se edhe këto vrasje janë kryer nga i njëjti person.
Sipas informacioneve paraprake, të gjitha viktimat kishin lidhje familjare me autorin e dyshuar. Mes viktimave ndodheshin edhe dy fëmijë.
Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur motivet e kësaj tragjedie, ndërsa shefi i policisë konfirmoi se McFarland kishte pasur probleme të mëparshme me ligjin.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal të Muscatine, një qytet me rreth 24 mijë banorë në lindje të shtetit të Ajovës.