Një incident i pazakontë ka ndodhur në një plazh të Patras në Greqi, ku një grua 64-vjeçare u plagos pasi u kafshua nga një peshk teksa po lahej në det. Sipas rrëfimit të saj, gjithçka ndodhi papritur, kur ndjeu një goditje të fortë në qafë dhe më pas pa gjakderdhjen.
Gruaja dyshon se është sulmuar nga Lagocephalus sceleratus, i njohur si peshku “lepur”, një specie invazive që është përhapur vitet e fundit në Detin Mesdhe dhe njihet për nofullat e forta, të afta të shkaktojnë plagë serioze.
Pas incidentit, personat që ndodheshin pranë i dhanë ndihmën e parë dhe ajo u transportua në një qendër shëndetësore, ku mjekët i pastruan plagën, i administruan vaksinë kundër tetanozit dhe nisën trajtimin me antibiotikë. Fatmirësisht, gjendja e saj është jashtë rrezikut.
“Pashë diçka që po afrohej drejt meje dhe, pak çaste më vonë, ndjeva një kafshim të fortë në qafë. Kur dola nga uji, njerëzit më thanë se po gjakosesha dhe më ndihmuan menjëherë,” tregoi ajo për mediat greke.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo specie duhet shmangur, pasi përveç kafshimeve të forta, përmban edhe tetrodotoksinë, një helm natyror shumë i rrezikshëm. Për këtë arsye, peshku nuk duhet të konsumohet dhe çdo kontakt me të duhet të raportohet tek autoritetet përkatëse.

Be First to Comment