Një ngjarje tragjike është regjistruar në fshatin Orizaj, në Bashkinë e Beratit, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi u mbyt në lumë.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri ishte duke punuar në arë së bashku me babanë e tij. Më pas ai ka hyrë në lumë për t’u freskuar, por është marrë nga rrjedha e ujit dhe është tërhequr disa metra më poshtë.
Babai i tij u fut menjëherë në ujë në përpjekje për ta shpëtuar dhe arriti ta nxirrte në breg, por fatkeqësisht djali ishte pa shenja jete.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe ambulanca, ndërsa trupi i viktimës u transportua në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.
Grupi hetimor vijon veprimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Dyshimet e para tregojnë se 15-vjeçari është mbytur aksidentalisht gjatë kohës që po lahej në lumë.

Be First to Comment