Ngjarje e rëndë në malësinë e Librazhdit, rrufetë asgjësojnë tufën e dhive
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonat malore të Librazhdit, ku kushtet atmosferike kanë qenë tepër të ashpra gjatë orëve të fundit. Sipas banorëve dhe barinjve të zonës, stuhia e fortë është shoqëruar me dhjetëra shkarkesa elektrike në Parkun Kombëtar të Shebenikut, si dhe në Malësinë e Sopotit, Polisit, Xhyrës, Dardhës dhe Spatharit, duke shkaktuar panik dhe frikë te banorët që ndodheshin në kullota dhe zona të hapura.
Ngjarja më e rëndë është shënuar në fshatin Spathar, në Njësinë Administrative Qendër, në vendin e njohur si “Arrës”, ku një tufë dhish është goditur nga rrufeja. Si pasojë e shkarkesës së fuqishme elektrike, bagëtitë kanë ngordhur në vend, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike për familjen e bariut.
Sipas burimeve nga zona, në momentin e goditjes pranë tufës ndodhej edhe bariu S. Kurti. Fatmirësisht, ai ka arritur t’i mbijetojë ngjarjes. Të afërmit e gjetën disa orë më vonë në gjendje të rënduar psikologjike dhe në gjendje shoku. Pas ndihmës së marrë, mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Banorët e zonës e përshkruajnë stuhinë si një nga më të fuqishmet e viteve të fundit. Sipas tyre, rrufetë kanë qenë të vazhdueshme për disa orë, duke rrezikuar jo vetëm bagëtitë, por edhe jetën e njerëzve që ndodheshin në kullotat malore.
Gjatë ditës së sotme po kryhen procedurat për groposjen e bagëtive të ngordhura, me qëllim shmangien e problemeve sanitare dhe mbrojtjen e mjedisit. Autoritetet lokale dhe shërbimet veterinare janë angazhuar për ndjekjen e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fenomenet atmosferike.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e zonës dhe rikthen në vëmendje rrezikun që paraqesin stuhitë e forta dhe shkarkesat elektrike në zonat malore, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur barinjtë dhe bagëtitë qëndrojnë për periudha të gjata në kullota të hapura.


Be First to Comment