Vala e të nxehtit përfshin Shqipërinë, temperaturat arrijnë deri në 38 gradë
Shqipëria pritet të përballet me temperatura të larta gjatë gjithë javës, ndërsa kulmi i vapës parashikohet të regjistrohet në ditët e para, kur termometri mund të ngjitet deri në 37-38 gradë Celsius.
Sipas meteorologëve, moti do të jetë kryesisht i kthjellët dhe me diell, duke bërë që temperaturat të rriten shpejt që në orët e paradites. Mesdita do të jetë periudha më e nxehtë e ditës, me vlera që në disa zona do t’i afrohen 38 gradëve.
Nga e enjtja dhe në fundjavë pritet një ulje e lehtë e temperaturave, por moti do të vijojë të mbetet i nxehtë në të gjithë territorin. Temperaturat maksimale do të luhaten mes 33 dhe 35 gradë Celsius gjatë orëve të mesditës.
Ndërkohë, orët e natës dhe mëngjeset do të jenë më të freskëta, veçanërisht në zonat malore. Në zonat e ulëta temperaturat minimale do të variojnë nga 15 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa përgjatë vijës bregdetare do të luhaten nga 19 deri në 20 gradë.
Meteorologët këshillojnë qytetarët të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve të pikut dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta.