Një 63-vjeçar nga Vlora ka ndarë historinë e tij personale në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, ku ka folur për martesën, problemet familjare dhe divorcin që përfundimisht u zyrtarizua në vitin 2004.
Sipas tij, marrëdhënia me ish-bashkëshorten ka qenë e vështirë që në fillim. Ai pretendon se kishte dyshime për besnikërinë e saj dhe se gjatë viteve të martesës kishte dëgjuar shpesh komente dhe aludime për lidhje të tjera të saj.
“U martova në vitin 1984, kur isha 23 vjeç, ndërsa ajo ishte 37 vjeçe. Që në fillim kam pasur dyshime. Më pas dëgjova edhe fjalë nga njerëz të tjerë dhe kuptova se ajo kishte krijuar lidhje jashtë martesës,” u shpreh ai.
63-vjeçari tregoi se kishte tentuar të ndahej që në vitin 1986, por sipas tij, në atë periudhë ishte përballur me presione që e penguan të merrte këtë vendim. Më vonë, në vitin 1994, bashkëshortja emigroi në Greqi, ndërsa ai qëndroi në Shqipëri për t’u kujdesur për nënën e tij.
Ai rrëfeu gjithashtu se me kalimin e kohës marrëdhënia mes tyre u shkëput plotësisht, edhe pse vazhdonin të ishin të martuar ligjërisht deri në vitin 2004, kur divorci u finalizua.