Të enjten, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme, të cilat do të sjellin vranësira dhe reshje shiu në disa zona.
Reshjet pritet të nisin që në orët e para të 24-orëshit dhe të jenë të pranishme deri në mëngjes në pjesën më të madhe të territorit, kryesisht me intensitet të ulët. Në zonat veriperëndimore, ato mund të paraqiten me intensitet mesatar.
Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë në mënyrë të herëpashershme, kryesisht në formën e rrebesheve lokale me intensitet të ulët. Zonat që pritet të preken më shumë janë veriu dhe pjesërisht qendra e vendit.
Sa i përket temperaturave, vlerat minimale parashikohen të zbresin në 9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë deri në 23 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga drejtimi i jugut, me një shpejtësi mesatare prej 6 m/s. Herë pas here, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 10 m/s.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i ulët, me forcë 1–3 ballë.
