Evanthi Pango ishte një nga protestueset që mbetën të plagosura rëndë gjatë përplasjeve mes studentëve dhe policisë, në ditët e para të protestave që kanë përfshirë vendin.
E reja u transportua në spital më 15 tetor, pasi pësoi plagë në ballë gjatë përleshjeve. Pas disa ditësh trajtimi, ajo ka reaguar për herë të parë, duke dhënë lajme pozitive për gjendjen e saj shëndetësore.
Përmes një mesazhi, Pango ka bërë të ditur se ndodhet në gjendje të mirë dhe se momentet më të vështira tashmë kanë kaluar. Megjithatë, sipas udhëzimeve të mjekëve, ajo do të qëndrojë ende për disa ditë në spital.
Në reagimin e saj, e reja ka falënderuar të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje, duke sqaruar se ende nuk ka mundësi t’u përgjigjet të gjithëve.
“Miq dhe dashamirës, kam marrë pafund mesazhe nga ju, por ende nuk kam mundësi t’ju përgjigjem. Unë jam mirë dhe më e keqja ka kaluar. Vijoj të jem ende në spital edhe për pak ditë. Çfarë nuk na vret, na bën më të fortë. Do ja dalim. Ju dua Eva”, shkruan ajo.
Mesazhi i saj ka sjellë një përditësim pozitiv për ndjekësit dhe personat që janë interesuar për gjendjen e saj pas plagosjes gjatë protestave.
