Pini kafe pasdite? Ja çfarë mund t’i ndodhë organizmit tuaj
Kafja është një nga pijet më të konsumuara në botë dhe për shumë njerëz dita nuk nis pa një filxhan të saj. Megjithatë, jo pak persona vazhdojnë ta konsumojnë edhe gjatë orëve të pasdites për të rifituar energjinë e humbur.
Por ekspertët paralajmërojnë se pirja e kafesë pas mesditës mund të ketë pasoja të padëshiruara për shëndetin dhe cilësinë e jetës së përditshme.
Rrit nervozizmin dhe stresin
Ndërsa në mëngjes kafeja mund t’ju japë energji dhe përqendrim, konsumimi i saj në orët e vona të ditës mund të rrisë ndjenjën e ankthit, stresit dhe nervozizmit. Kjo ndodh sepse kafeina vazhdon të stimulojë sistemin nervor për një kohë të gjatë.
Ndikon negativisht në gjumë
Kafeina mund të prishë ritmin natyror të trupit dhe ta bëjë më të vështirë fjetjen gjatë natës. Studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi i saj në orët e pasdites mund të ulë cilësinë e gjumit dhe të shkaktojë zgjime të shpeshta gjatë natës.
Shkakton urinim më të shpeshtë
Për shkak të efektit diuretik, kafeja mund të rrisë nevojën për të urinuar, duke ndërprerë pushimin gjatë natës dhe duke ndikuar në cilësinë e gjumit.
Mund të rrisë djersitjen
Kafeina mund të shtojë ndjenjat e ankthit dhe tensionit, të cilat shpesh shoqërohen me djersitje më të madhe, veçanërisht gjatë natës.
Ndikon në oreks
Ekspertët theksojnë se kafeina mund të ulë përkohësisht ndjenjën e urisë për disa orë. Kjo mund të bëjë që të anashkaloni vakte të rëndësishme gjatë ditës dhe më pas të përjetoni uri të fortë në orët e mbrëmjes.
Për këtë arsye, specialistët rekomandojnë që konsumi i kafesë të kufizohet në orët e para të ditës, në mënyrë që të shmangen efektet negative në gjumë dhe mirëqenien e përgjithshme.