Kompania gjermane tërhiqet nga projekti i Aeroportit të Vlorës
Një zhvillim i rëndësishëm ka ndikuar në projektin e Aeroportit të Vlorës, pasi kompania gjermane Munich Airport International GmbH, e lidhur me menaxhimin e Aeroportit të Mynihut, ka vendosur të tërhiqet nga operimi i aeroportit të ri dhe të mbyllë degën e saj në Shqipëri.
Sipas mediave, bordi drejtues i kompanisë ka miratuar nisjen e procedurave të likuidimit dhe çregjistrimit të subjektit në Shqipëri. Në vendim theksohet se ndërprerja e aktivitetit konsiderohet zgjidhja më e përshtatshme për interesat e kompanisë dhe do të realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Munich Airport International kishte hyrë në tregun shqiptar në mars të vitit 2025 me qëllimin e vetëm të menaxhimit të Aeroportit të Vlorës. Sipas kontratës koncesionare, operatori i aeroportit duhej të ishte një kompani me përvojë ndërkombëtare në administrimin e aeroporteve, duke qenë se aksionerët e projektit nuk kishin eksperiencë të drejtpërdrejtë në këtë fushë.
Për këtë arsye, kompania ndërtuese Vlora International Airport (VIA) kishte arritur një marrëveshje bashkëpunimi me grupin gjerman të Aeroportit të Mynihut. Më herët, ishte deklaruar publikisht se operimi i aeroportit do të realizohej nga ky partner ndërkombëtar.
Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar pas mosmarrëveshjeve mes aksionerëve kryesorë të projektit, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit. Burime të ndryshme sugjerojnë se këto përplasje mund të kenë ndikuar në vendimin e kompanisë gjermane për t’u tërhequr nga projekti.
Largimi i Munich Airport International ngre pikëpyetje të reja mbi të ardhmen e Aeroportit të Vlorës, si për ecurinë e ndërtimit ashtu edhe për mënyrën se kush do të marrë përsipër menaxhimin dhe operimin e tij në të ardhmen.