Organizatorët dhe nxitësit e qytetarëve për bllokimin e rrugës janë proceduar nga Policia e Shtetit, e cila ka ndërhyrë për të ndaluar një veprim që, sipas saj, ka dalë jashtë kornizës së një proteste paqësore 15-ditore. Në total janë proceduar penalisht 19 shtetas.
Policia njofton se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në bllokimin e aksit rrugor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Në vijim të veprimeve hetimore pas tubimit të zhvilluar më 14.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë kryer procedurat për identifikimin dhe ndjekjen penale të organizatorëve dhe përgjegjësve për pengimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
Pas përfundimit të hetimeve paraprake, është nisur procedimi penal në gjendje të lirë për këta shtetas:
G. P., 36 vjeç; A. Ll., 29 vjeçe; A. Ll., 27 vjeçe; I. F., 32 vjeç; E. H., 33 vjeç; A. K., 46 vjeç; F. Rr., 28 vjeç; V. D., 29 vjeç; O. B., 21 vjeç; D. L., 57 vjeç; L. N., 20 vjeç; A. K., 29 vjeç; A. M., 23 vjeç; T. M., 24 vjeç; K. Z., 22 vjeç; B. P., 34 vjeç; Gj. N., 39 vjeç; L. K., 33 vjeçe; I. M., 24 vjeçe.
Ata akuzohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Gjithashtu, janë sekuestruar dy automjete.
Sipas hetimeve, më 14.06.2026, rreth orës 18:00 ishte njoftuar një tubim në sheshin “Skënderbej” dhe më pas përpara Kryeministrisë në Tiranë, i cili ishte planifikuar të zgjaste deri në orën 22:00.
Gjatë zhvillimit të protestës, sipas Policisë, disa drejtues dhe organizatorë kanë bërë thirrje që pjesëmarrësit të zhvendosen drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve në atë aks rrugor.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.