Meteorologia e njohur Lajda Porja ka folur për motin dhe ndikimin e fenomenit klimatik “El Niño”, duke paralajmëruar se temperaturat e larta do të vijojnë edhe në javët në vazhdim.
E ftuar në emisionin “Wake Up”, Porja shpjegoi se ky fenomen është aktivizuar që në fillim të muajit maj në Oqeanin Paqësor dhe tashmë ka nisur të ndikojë në klimën globale.
Sipas saj, efektet janë ndjerë fillimisht në Europën Perëndimore, ku Portugalia, Spanja dhe Franca regjistruan temperatura rekord për muajin maj, duke arritur deri në 38-39 gradë Celsius.
Meteorologia sqaroi se, edhe pse “El Niño” zhvillohet mijëra kilometra larg Shqipërisë, ai ndikon në qarkullimin e masave ajrore, duke favorizuar depërtimin e ajrit shumë të nxehtë nga Afrika Veriore dhe shkretëtira e Saharasë drejt Mesdheut dhe Ballkanit.
“Kur kemi një periudhë me temperatura të larta, rritet edhe mundësia për stuhi të forta, reshje intensive, breshër dhe përmbytje të shpejta. Temperaturat ekstreme krijojnë kushte për avullim të madh dhe zhvillim të fenomeneve atmosferike më të fuqishme”, u shpreh Porja.
Ajo kujtoi se “El Niño” është një fenomen natyror ciklik që ngroh ujërat e Paqësorit dhe zakonisht shoqërohet me temperatura mbi normalen në shumë rajone të botës për një periudhë 1-2-vjeçare. Fenomeni i kundërt njihet si “La Niña”, ndërsa mes tyre ekzistojnë edhe periudha me kushte klimatike normale.
Sipas meteorologes, vala e të nxehtit tashmë ka përfshirë pjesën më të madhe të Europës. Gjermania, Zvicra, Austria, vendet skandinave dhe rajoni i Mesdheut po përjetojnë temperatura shumë të larta, ndërsa edhe Shqipëria ka regjistruar vlera deri në 38 gradë në disa zona.
Porja paralajmëroi se moti i nxehtë do të vazhdojë, ndërsa qytetarët duhet të tregojnë kujdes gjatë ditëve me temperatura ekstreme dhe të jenë të përgatitur edhe për shfaqjen e stuhive të forta lokale, të cilat mund të sjellin reshje intensive në një kohë të shkurtër.

Be First to Comment