Nga 1 korriku, rreth 550 mijë pensionistë në Shqipëri do të përfitojnë nga indeksimi i ri i pensioneve, një masë që synon të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Sipas skemës së miratuar, pensionet urbane do të rriten me 4%, ndërsa ato rurale me 5%.
Ekspertja e pensioneve, Armela Duka, sqaroi në një intervistë televizive se indeksimi është një detyrim ligjor që zbatohet çdo vit në përputhje me normën e inflacionit. Sipas saj, qëllimi i kësaj mase është të kompensojë pjesërisht humbjen e fuqisë blerëse të pensionistëve përballë rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.
“Ky është një indeksim që synon të amortizojë efektin e rritjes së çmimeve dhe është një detyrim që qeveria duhet ta zbatojë çdo vit”, u shpreh Duka.
Ajo bëri të ditur se nga kjo rritje do të përfitojnë tre kategori: pensionistët e pleqërisë, ata të invaliditetit dhe pensionistët familjarë. Ndërkohë, diferencimi mes pensioneve urbane dhe rurale mbetet në fuqi, me rritje përkatësisht 4% dhe 5%.
Sipas ekspertes, në Shqipëri janë rreth 754 mijë pensionistë në total, por përfitues të drejtpërdrejtë të indeksimit do të jenë rreth 550 mijë. Pensioni mesatar urban llogaritet mbi 20 mijë lekë të reja, ndërsa ai rural rreth 18 mijë lekë.
Duka theksoi se hendeku mes pensioneve urbane dhe rurale lidhet kryesisht me nivelin e kontributeve shoqërore ndër vite, duke kujtuar se sektori i bujqësisë ka qenë tradicionalisht më i ekspozuar ndaj informalitetit.
Ajo vlerësoi se indeksimi duhej të ishte zbatuar më herët, që në muajin shkurt, për të zbutur më shpejt efektet e krizës së çmimeve. Megjithatë, e konsideroi masën një zhvillim pozitiv në kushtet kur shporta e produkteve bazë dhe kostot e jetesës vijojnë të mbeten të larta.
Sipas përllogaritjeve të saj, rritja prej 4% dhe 5% do të përkthehet në një shtesë mujore prej rreth 500 deri në 800 lekë të reja, në varësi të kategorisë së pensionit. Edhe pse ndihma është e kufizuar, ajo pritet të sjellë një lehtësim të pjesshëm për mijëra pensionistë në të gjithë vendin.

Be First to Comment