Fundjava pritet të sjellë temperatura përvëluese në të gjithë vendin. Sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Eneida Doçi, paralajmëroi se Shqipëria do të ndikohet nga masa ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika e Veriut, të kombinuara me masa ajrore të lagështa jugperëndimore të lidhura me anticiklonin e Azoreve.
Sipas saj, moti do të mbetet kryesisht i kthjellët gjatë gjithë fundjavës, ndërsa në zonat malore priten vranësira kalimtare në orët e mesditës dhe pasdites, të shoqëruara lokalisht me rrebeshe afatshkurtra shiu dhe stuhi.
Temperaturat do të shënojnë rritje të ndjeshme si në vlerat minimale, ashtu edhe në ato maksimale. Në zonat e ulëta, qendrore dhe bregdetare, temperaturat minimale do të luhaten rreth 26°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 39°C gjatë orëve të mesditës.
Edhe java e ardhshme do të karakterizohet nga mot shumë i nxehtë. Temperaturat minimale pritet të variojnë nga 17 deri në 26°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 40°C.
Era do të fryjë e lehtë, me drejtim kryesor jugperëndim dhe verilindje, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në det pritet valëzim i ulët, me forcë 1-2 ballë, duke krijuar kushte të favorshme për aktivitetet bregdetare.

Be First to Comment