Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar këtë të premte masën e sigurisë për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, Taulant Tushe, duke zëvendësuar “arrestin në shtëpi” me masën “detyrim paraqitjeje”.
Tushe ndodhej në arrest shtëpie që prej janarit të këtij viti, pas një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Me vendimin e fundit, GJKKO ka lehtësuar masën e sigurisë ndaj tij, ndërsa procesi gjyqësor vijon.
Ish-zyrtari i Bashkisë së Tiranës është një nga të pandehurit në dosjen e njohur si “5D”, ku akuzohet së bashku me ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato. Sipas Prokurorisë së Posaçme, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Tushe, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka favorizuar shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në disa procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia e Tiranës.
SPAK pretendon se kompanisë i janë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë, duke u shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Taulant Tushe u arrestua në mars të vitit 2024 me urdhër të SPAK. Në janar të vitit 2026, masa e sigurisë ndaj tij u zbut nga “arrest me burg” në “arrest në shtëpi”, ndërsa tashmë gjykata ka vendosur ta zëvendësojë edhe këtë masë me “detyrim paraqitjeje”.
Përveç dosjes “5D”, Tushe është nën gjykim edhe në çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Be First to Comment