Skip to content

Lajm i rëndësishëm për 550 mijë qytetarë, ekspertja tregon sa do të jetë përfitimi

Nga 1 korriku, rreth 550 mijë pensionistë në Shqipëri do të përfitojnë nga indeksimi i ri i pensioneve, një masë që synon të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Sipas skemës së miratuar, pensionet urbane do të rriten me 4%, ndërsa ato rurale me 5%.

Në vend numërohen rreth 754 mijë pensionistë, por përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj rritjeje do të jenë afërsisht 550 mijë persona.

Ekspertja e pensioneve, Armela Duka, u shpreh se indeksimi është një detyrim ligjor që lidhet drejtpërdrejt me normën e inflacionit dhe synon të kompensojë pjesërisht humbjen e fuqisë blerëse të pensionistëve.

Sipas saj, nga kjo skemë përfitojnë tre kategori kryesore: pensionistët e pleqërisë, pensionistët e invaliditetit dhe përfituesit e pensioneve familjare. Ajo theksoi gjithashtu se diferenca mes pensioneve urbane dhe rurale vazhdon të mbetet pjesë e sistemit aktual.

Duka nënvizoi se rritja e vazhdueshme e çmimeve, veçanërisht e produkteve bazë dhe karburanteve, e bën të domosdoshëm këtë indeksim, megjithëse sipas saj masa duhej të ishte zbatuar më herët për të zbutur efektet e krizës së kostos së jetesës.

Ekspertja kujtoi se pensioni mesatar urban në Shqipëri është mbi 20 mijë lekë të reja, ndërsa ai rural rreth 18 mijë lekë. Sipas saj, ky hendek lidhet kryesisht me nivelin e kontributeve shoqërore dhe informalitetin e lartë që ka karakterizuar sektorin e bujqësisë ndër vite.

Sipas përllogaritjeve, rritja prej 4% dhe 5% do të përkthehet në një shtesë mujore që varion nga rreth 500 deri në 800 lekë të reja, në varësi të masës së pensionit. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se, pavarësisht këtij lehtësimi, përballja me rritjen e kostos së jetesës mbetet sfida kryesore për një pjesë të madhe të pensionistëve në vend.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *