Shqipëria është përfshirë nga një valë e fortë të nxehti që ka nisur që të premten dhe pritet të zgjasë për tre ditë, me temperaturat që në disa zona do të arrijnë deri në 40°C.
Sipas parashikimeve, vetëm duke nisur nga e marta e javës së ardhshme pritet një rënie graduale e temperaturave në të gjithë vendin. Ky ndryshim do të shoqërohet me shtim të vranësirave, kryesisht në zonat juglindore, ku nuk përjashtohen rrebeshe të shkurtra shiu.
Meteorologia Tanja Porja bën të ditur se gjatë ditëve në vijim moti do të mbetet kryesisht i kthjellët, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare. Temperaturat minimale do të luhaten nga 17°C në zonat malore deri në 25°C në bregdet, ku netët do të vijojnë të jenë të ngrohta.
Vranësirat do të jenë kalimtare në juglindje dhe më të pranishme në zonat lindore, ndërsa mundësia për reshje gjatë së dielës dhe të hënës mbetet shumë e ulët. Një freskim i lehtë i motit pritet vetëm në ditët e para të korrikut, kur temperaturat do të ulen me rreth 3 gradë.

Be First to Comment