Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se qeveria shqiptare mund të shpallë persona të tjerë “Non Grata” në rast se ata konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Në një intervistë për Euronews Albania, Lamallari tha se në tryezën e tij mbërrijnë çdo javë dhjetëra kërkesa nga agjencitë e zbatimit të ligjit, të cilat shqyrtohen në mënyrë të vazhdueshme.
“Çdo javë kam në tryezën time dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Është një proces dinamik që vazhdon çdo ditë. Nëse këta persona janë të përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda, mashtrime apo shantazhe ndaj qytetarëve shqiptarë, institucionet do të veprojnë sipas ligjit”, u shpreh ai.
Ministri theksoi se pjesëmarrja e këtyre personave në protesta nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e institucioneve.
“Nëse persona të tillë marrin pjesë edhe në protesta, kjo nuk do të thotë se ne do të tërhiqemi. Detyra jonë është të zbatojmë ligjin pikë për pikë. Policia e Shtetit duhet të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të mbrojtur qytetarët shqiptarë, pa u ndikuar nga presioni publik apo debatet politike”, deklaroi Lamallari.
Sipas tij, interesi publik mbetet prioriteti kryesor i qeverisë dhe i institucioneve ligjzbatuese, të cilat do të vazhdojnë të marrin çdo masë të nevojshme për garantimin e sigurisë në vend.

Be First to Comment