Një tërmet me magnitudë 4.1 të shkallës Rihter goditi të dielën rajonin turistik të Algarves, në jug të Portugalisë, sipas njoftimit të Institutit Portugez të Detit dhe Atmosferës (IPMA).
Lëkundjet sizmike u ndjenë në qytetet Lagos dhe Portimão, por autoritetet konfirmuan se nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale.
Sipas IPMA-së, epiqendra e tërmetit ndodhej në Oqeanin Atlantik, rreth 70 kilometra në jugperëndim të Kepit Shën Vincent.
Portugalia jugore dhe rajoni përreth Lisbonës ndodhen në një zonë me aktivitet sizmik, pasi aty takohen pllakat tektonike euroaziatike dhe afrikane. Megjithatë, vitet e fundit aktiviteti sizmik në këtë zonë ka qenë relativisht i ulët.
Historia e Portugalisë mban mend një nga katastrofat më të mëdha natyrore në Evropë, tërmetin shkatërrues të vitit 1755, i cili u pasua nga një cunami dhe mori jetën e rreth 30 mijë deri në 40 mijë personave.
Një tjetër tërmet i fuqishëm goditi vendin në vitin 1969, me magnitudë 7.9, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Edhe ai kishte epiqendrën pranë Kepit Shën Vincent.

Be First to Comment