MITSOTAKIS ZBARDH PAKETËN E RE EKONOMIKE/ Ja masat që prekin pensionet, pagat dhe familjet
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis prezantoi një paketë të gjerë masash ekonomike dhe sociale gjatë fjalimit të tij në Qendrën e Konferencave “Vellidio”, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut (DEO).
Fjalimi nisi me një minutë heshtje në nderim të dy pilotëve të Forcave Ajrore Greke, të cilët humbën jetën pas rrëzimit të një avioni luftarak Phantom në Tanagra. “Mendimet tona janë me familjet e dy pilotëve”, deklaroi Mitsotakis, duke theksuar se shteti do të qëndrojë pranë familjeve të viktimave.
Më pas, kryeministri prezantoi planin e masave për vitin 2027, duke e cilësuar atë si një udhërrëfyes për rritjen e të ardhurave dhe uljen e barrës fiskale për qytetarët.
Bizneset dhe profesionistët
Sipas paketës së prezantuar, taksa e aktivitetit do të hiqet për bizneset në rajone, ndërsa në Atikë parashikohet një reduktim me 50% në vitin 2028, përpara heqjes së plotë në vitin 2029.
Masat për fermerët dhe blegtorët
Për fermerët parashikohet rritja e pragut të patatueshëm në 20 mijë euro, një masë që, sipas Mitsotakis, do të prekë rreth 50 mijë prodhues.
Për sektorin e blegtorisë, qeveria synon të sigurojë fonde shtesë nga Bashkimi Europian. Kryeministri deklaroi gjithashtu se tufat e humbura pritet të rikthehen së shpejti.
Pensionet dhe administrata publike
Një tjetër masë lidhet me pensionistët. Ndihma vjetore e nëntorit për personat mbi 65 vjeç do të rritet nga 300 në 400 euro.
Ndërkohë, rreth 720 mijë punonjës të administratës publike do të përfitojnë një bonus prej 500 eurosh, duke nisur nga viti 2027. Sipas kryeministrit, masa do të jetë e përhershme dhe do të merret parasysh edhe në llogaritjen e pensionit.
Mbështetje për familjet
Prindërit do të kenë mundësi të hapin një llogari kursimi për fëmijët gjatë dy viteve të para pas lindjes. Shteti do të kontribuojë me të njëjtën shumë që depozitojnë prindërit, deri në 1,200 euro në vit.
Gjithashtu, për familjet me tre fëmijë u njoftua zero taksë mbi të ardhurat deri në 20 mijë euro.
Pagat dhe çmimi i energjisë
Për sektorin privat parashikohet një ulje e mëtejshme e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Mitsotakis deklaroi se paga minimale synohet të arrijë në 950 euro në vitin 2027, me objektiv rritjen e saj në 1,000 euro në janar 2028.
Në sektorin energjetik, qeveria synon një ulje prej 30% të çmimit të energjisë elektrike gjatë tre viteve të ardhshme.
Ndërkohë, për personat me aftësi të kufizuara u njoftua indeksimi i përfitimeve sociale, si pjesë e paketës së masave të prezantuara nga qeveria greke.
