Një në tre shqiptarë është pensionist dhe për pjesën më të madhe të tyre pensioni mbetet burimi kryesor i të ardhurave. Megjithatë, rritja e pensioneve vijon të jetë modeste, duke e bërë të vështirë përballimin e kostos së jetesës.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), pensioni mesatar në zonat rurale është rritur me vetëm 827 lekë në muaj krahasuar me vitin 2024, ndërsa pensioni mesatar urban ka shënuar një rritje prej 514 lekësh.
Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 86 mijë pensionistë në zonat rurale përfitojnë mesatarisht 11,878 lekë në muaj. Ndërkohë, për 668,094 pensionistë të pleqërisë në zonat urbane, pensioni mesatar arrin në 20,123 lekë në muaj.
Shifrat nxjerrin në pah diferencat mes pensioneve rurale dhe atyre urbane, por edhe sfidat ekonomike me të cilat përballen mijëra të moshuar, veçanërisht ata që mbështeten në pensione më të ulëta për të përballuar shpenzimet e përditshme.