Skip to content

Prokuroria e Vlorës hap hetime për punime të dyshuara të paligjshme në Zvërnec

Tre muaj pas nisjes së punimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, Prokuroria e Vlorës ka bërë të ditur se ka regjistruar një procedim penal për të hetuar ndërhyrjet e kryera në këtë territor.

Sipas një përgjigjeje zyrtare, procedimi është hapur për katër vepra penale: ndërtim i paligjshëm, dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura, prerje e paligjshme e pyjeve dhe shpërdorim detyre.

Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimeve nuk është regjistruar asnjë person nën hetim, ndërsa prokuroria thekson se veprimet hetimore vijojnë.

Ky është hetimi i dytë që lidhet me projektin në zonën e Pishë Poro–Nartës. Më herët, SPAK vendosi sekuestro mbi transaksione me vlerë 128 milionë euro, duke dyshuar për pastrim parash dhe parregullsi në transaksionet e tokave. Në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë edhe masa ndaj disa personave të dyshuar.

Punimet në zonën e mbrojtur u kundërshtuan që në fillim nga organizatat mjedisore, të cilat denoncuan hapjen e rrugëve, rrethimin e territorit dhe ndërhyrjet në habitatet natyrore, duke i cilësuar ato si të dëmshme për ekosistemin.

Nga ana tjetër, qeveria ka deklaruar se punimet kishin karakter përgatitor dhe ishin pjesë e zhvillimit të projektit, ndërsa më vonë argumentoi se disa ndërhyrje ishin të nevojshme edhe për përmirësimin e infrastrukturës në zonë.

Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Vlorës dhe ato të SPAK pritet të sqarojnë nëse gjatë realizimit të projektit janë shkelur procedurat ligjore dhe mjedisore, si edhe përgjegjësitë e mundshme të personave apo institucioneve të përfshira.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *