Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestën e mbajtur kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se qeveria do të vijojë me projektet e saj zhvillimore pavarësisht kundërshtimeve.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë publikoi atë që e cilësoi si një “video-kartolinë të pazakonshme nga Shqipëria e shqiptarëve”, ndërsa nënvizoi se ekzekutivi do të zbatojë programin për të cilin, sipas tij, ka marrë mbështetjen e qytetarëve për një mandat të katërt qeverisës.
Në mesazhin e tij, Rama kritikoi protestuesit, duke deklaruar se Shqipëria do të ecë përpara sipas vizionit dhe angazhimeve të qeverisë, pavarësisht kundërshtimeve që, sipas tij, nuk kanë më arsye reale.
“Shqipëria do të bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota”, shkroi Rama, duke shtuar se një pjesë e kundërshtarëve të projektit mbeten peng të një proteste që, sipas tij, ka humbur qëllimin fillestar.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur debati për projektin në Zvërnec vijon të shkaktojë polemika, ndërsa banorë dhe aktivistë kanë shprehur kundërshtimin e tyre për zhvillimet e planifikuara në zonë.