Senatorja amerikane Elissa Slotkin reagon për protestat në Shqipëri: Bën thirrje për uljen e tensioneve
Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Shqipëri pas protestave dhe akteve të dhunës të regjistruara ditët e fundit.
Në një postim në rrjetet sociale, Slotkin bëri të ditur se ka marrë telefonata nga banorë të Miçiganit, të shqetësuar për zhvillimet në Shqipëri dhe përshkallëzimin e tensioneve.
Ajo theksoi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të kërkojnë llogaridhënie nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
“Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë paqësisht dhe të kërkojë llogari nga zyrtarët e tyre të zgjedhur”, u shpreh senatorja.
Slotkin iu drejtua gjithashtu qeverisë shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të shtetit ligjor, mbrojtjes së protestuesve dhe shmangies së përdorimit të tepruar të forcës nga policia.
Ajo përmendi edhe nevojën për të luftuar korrupsionin dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve.
Në përfundim të reagimit, senatorja amerikane u bëri thirrje të gjitha palëve që të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të kërkojnë një zgjidhje paqësore për situatën.
Deklarata e Slotkin vjen në një moment kur protestat në Shqipëri dhe reagimi i institucioneve ndaj tyre kanë nxitur diskutime edhe jashtë vendit.
