Dy persona arrestohen për vrasjen e 46-vjeçarit pas një konflikti për mbeturinat
Dy persona janë arrestuar nga policia italiane në kuadër të hetimeve për vrasjen e 46-vjeçarit Salvatore Solimeno, i cili humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri të premten pasdite në Boscotrecase, në provincën e Napolit.
Sipas mediave italiane, ngjarja dyshohet të ketë nisur nga një mosmarrëveshje mes banorëve të një apartamenti për një çështje të vogël, konkretisht hedhjen e qeseve të mbeturinave, e cila më pas degjeneroi në dhunë.
Të arrestuarit janë 33 dhe 27 vjeç. Hetuesit dyshojnë se autori i të shtënave është 27-vjeçari, i cili dyshohet se ka përdorur një pistoletë të kalibrit 9 mm me numër serial të fshirë.
Gjatë operacionit, karabinierët e njësisë hetimore të Torre Annunziata sekuestruan armën e dyshuar të krimit, katër fishekë të papërdorur, tre gëzhoja si dhe telefonat celularë të dy të arrestuarve.
Ndërkohë, trupi i viktimës është dërguar në morg për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa dy të dyshuarit janë transferuar në një burg në Napoli në pritje të procedurave gjyqësore.