Kosovari ndalohet në Serbi prej muajsh, avokati zbulon detaje për rastin
Një tjetër shtetas i Kosovës rezulton të jetë ndaluar nga autoritetet serbe. Bëhet fjalë për Avdi Memçajn, i cili sipas avokatit Arianit Koci është arrestuar më 20 maj në pikën kufitare të Merdarës dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Koci përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpjegon se familjarët e Memçajt i janë drejtuar atij për të marrë përsipër mbrojtjen juridike të rastit.
Sipas avokatit, Memçaj dyshohet për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes përmes rrjeteve sociale”. Familjarët kanë deklaruar se ai jeton prej vitesh në Kroaci, ku është pronar i disa furrave të bukës.
Ata kanë treguar gjithashtu se nuk e bënë publik rastin menjëherë, nga frika se kjo mund të ndikonte negativisht tek ai dhe familja, të cilët udhëtojnë shpesh përmes Serbisë për të shkuar në Kosovë.
Arianit Koci ka bërë të ditur se do ta analizojë dosjen dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të Avdi Memçajt.
Në reagimin e tij, ai ka shprehur shqetësim edhe për rastet e tjera të ndalimit të shtetasve të Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi, duke përmendur raportimet për kontrolle të telefonave mobilë në disa raste.
Në fund, avokati u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse përballen me situata të ngjashme, të njoftojnë menjëherë institucionet e Kosovës dhe të kërkojnë ndihmë juridike.

Be First to Comment