Një protestë që tejkaloi çdo parashikim dhe që shumë e konsiderojnë historike u zhvillua sot në bulevard, duke mbledhur mijëra qytetarë në ditën e 11-të të mobilizimit. Pjesëmarrësit iu përgjigjën deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte pohuar se edhe nëse në shesh do të mblidheshin 500 mijë persona, nuk do të jepte dorëheqjen.
Qytetarët nisën të grumbulloheshin që prej orës 18:00, duke mbushur bulevardin me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa kërkuan ndryshim dhe një Shqipëri më të mirë. Një nga aktivistët organizatorë iu drejtua kryeministrit me fjalët:
“Rama tha se edhe sikur të mblidheshin 500 mijë qytetarë, nuk do të jepte dorëheqjen. Le t’i hapë kamerat dhe të shohë sa njerëz janë sot këtu.”
Gjatë marshimit tradicional në bulevard, organizatorët dhe pjesëmarrësit bënë thirrje për qetësi, unitet dhe kulturë qytetare. Mesazhet kryesore që u dëgjuan ishin: “Mos u provokoni” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”.
Protestuesit ngritën gjithashtu shqetësime për presione dhe kërcënime të pretenduara ndaj qytetarëve. Eksperti Gent Progni deklaroi se punonjës të administratës së OSHEE-së janë përballur me kërcënime për largim nga puna.
“Sot populli shqiptar e ka tejkaluar veten. Nga ky shesh është dhënë një mesazh i qartë për klasën politike: ne nuk tërhiqemi”, u shprehën qytetarët pjesëmarrës në protestë.