Studentët thirrje qytetarëve për protestën e nesërme: Tubimi në orën 09:00 para Parlamentit
Të rinjtë që po protestojnë kundër qeverisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në protestën e radhës, e cila është paralajmëruar për nesër, në orën 09:00, para Parlamentit.
Pas qëndrimit për disa orë përpara Kryeministrisë, protestuesit marshuan drejt sheshit “Skënderbej”, ku vijuan thirrjet kundër qeverisë, mes tyre edhe slogani “Dorëheqje!”.
Gjatë marshimit, studentët u kërkuan qytetarëve të bëhen pjesë e protestës së nesërme, e cila pritet të zhvillohet në të njëjtën kohë me seancën plenare të Kuvendit.
Protesta studentore, që ka hyrë në ditën e nëntë, vijon të shoqërohet me kërkesa për ndryshime politike dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, përplasjet dhe tensionet e ditëve të fundit kanë ndikuar edhe në zhvillimet parlamentare. Seanca e javës së kaluar u anulua nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, pas trazirave të regjistruara gjatë protestave.
