Rama takohet me bankat pas dëmeve nga protestat: “Banka e Shqipërisë nuk u sulmua as në vitin 1997”
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të sektorit bankar, ku shprehu solidaritetin e tij pas dëmeve të shkaktuara ndaj bankave gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë.
Gjatë takimit, Rama e cilësoi situatën si një moment kritik, duke theksuar se qeveria do të angazhohet për të adresuar problematikat që kanë nxitur pakënaqësinë e qytetarëve, por duke bërë dallimin mes protestës paqësore dhe akteve të dhunës.
“Ka detyra për të adresuar problematikat e atyre që janë në protestë paqësisht, por edhe të shumë të tjerëve që i mbështesin ata që janë në protestë, por jo dhunën, jo gurin”, u shpreh kryeministri.
Rama solli në vëmendje edhe dëmtimin e Bankës së Shqipërisë gjatë protestave, duke deklaruar se institucioni nuk ishte sulmuar as në vitin 1997.
“Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në 1997, se nuk kishte banka të tjera, të tjerat ishin Sudja me Xhaferrin. Banka e Shqipërisë sot është e gjuajtur me gurë”, tha ai.
Kryeministri theksoi se qeveria do t’i trajtojë çështjet e ngritura njëra pas tjetrës dhe kërkoi bashkëpunimin e sektorit bankar për zbatimin e nismave që lidhen me strehimin social të përballueshëm.
Sipas Ramës, projektligji parashikon mbështetje për studentët që përballen me vështirësi për të paguar qiratë në Tiranë. Ai bëri të ditur se qeveria synon të mbulojë 50% të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Gjithashtu, kryeministri përmendi mundësinë e kredive me interes zero për çiftet e reja që plotësojnë kushtet për blerjen e një apartamenti brenda një kufiri të caktuar çmimi, si dhe skema të tjera financimi me interes 3%.
Rama tha se këto masa synojnë të ndihmojnë mijëra familje dhe të rinj çdo vit, veçanërisht në Tiranë, ku kostot e strehimit përbëjnë një sfidë të madhe.
