Komisioni Evropian kritikon zgjatjen e kontrolleve kufitare në Gjermani
Komisioni Evropian (KE) vlerëson se zgjatja e kontrolleve kufitare në Gjermani nuk është argumentuar mjaftueshëm. Në një deklaratë nga Brukseli thuhet se shpjegimet e paraqitura nga qeveria gjermane nuk justifikojnë plotësisht vazhdimin e kontrolleve në të gjithë kufijtë e vendit.
Sipas KE-së, mungon një sqarim i qartë se përse kërcënimi i përmendur nga Ministria Federale e Brendshme konsiderohet i njëjtë në të gjitha pikat kufitare. Gjithashtu, nuk është shpjeguar pse është zgjedhur një periudhë gjashtëmujore për zgjatjen e masës dhe jo një afat më i shkurtër. Kontrollet kufitare janë zgjatur tashmë tri herë, ndërsa vendimi i fundit i mban ato në fuqi deri në mesin e shtatorit 2026.
Komisioni Evropian ka propozuar alternativa për Gjermaninë dhe vendet e tjera anëtare, duke rekomanduar heqjen graduale të kontrolleve në zonën Schengen. Sipas Brukselit, vendet duhet të punojnë drejt rikthimit të lëvizjes së lirë pa kontrolle në kufijtë e brendshëm.
KE thekson se ekzistojnë masa më efektive për garantimin e sigurisë, si kontrollet e targetuara policore dhe përdorimi i teknologjive moderne, përfshirë identifikimin biometrik dhe sistemet e gjurmimit të automjeteve. Megjithatë, Komisioni nuk ka vendosur një afat të caktuar se kur Gjermania dhe shtetet e tjera duhet t’i japin fund këtyre kontrolleve.
Në të njëjtën kohë, Komisioni pranon se disa vende anëtare përballen me sfida serioze të sigurisë dhe migracionit. Sipas tij, Gjermania vazhdon të përballet me presion migrator dhe me një numër të lartë kërkesash për azil, çka mbetet një shqetësim i rëndësishëm për autoritetet gjermane.