Tragjedi në Sofje: Tre të vdekur dhe 10 të plagosur në aksident të rëndë trafiku
Tre persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë, si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku pranë fshatit Çelopëçene, në afërsi të Sofjes.
Sipas autoriteteve, mes viktimave janë dy pasagjerë të autobusit, një 27-vjeçar dhe një 31-vjeçar, i cili ndërroi jetë pas transportimit në spital. Viktima e tretë, gjithashtu mashkull, humbi jetën në spitalin “Shën Ana” në Sofje.
Hetimet paraprake tregojnë se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga drejtuesit e dy automjeteve, të cilët dyshohet se po lëviznin me shpejtësi mbi 150 kilometra në orë. Njëra nga makinat ka goditur anash autobusin e linjës 119, duke bërë që ai të përmbyset në rrugë.
Autoritetet bullgare kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike, ndërsa të plagosurit po marrin trajtim mjekësor në spitalet e kryeqytetit.