Altin Hila, babai që u bë simbol i protestës pasi u shfaq në tubim me fëmijën e tij të sëmurë, është liruar nga gjykata, e cila i caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Pas vendimit, ai ka bërë thirrje për reflektim, duke i drejtuar një mesazh edhe kryeministrit Edi Rama, ku u shpreh se “duhet të mendohet për këta njerëz që kanë kaluar vështirësi të mëdha jetese”, duke e lidhur situatën me kushte sociale dhe ekonomike.
Ndërkohë, vijon procesi i lirimit të protestuesve të arrestuar pas tensioneve dhe përplasjeve me policinë gjatë protestës së zhvilluar të enjten. Mes të liruarve është edhe aktivisti Gent Progni, i cili është pritur nga familjarë dhe qytetarë me duartrokitje dhe thirrje mbështetëse.
Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për 19 protestuesit e ndaluar pas përplasjes me policinë në protestën e 2 korrikut. Për dy prej tyre, Everest Bardh dhe Ervin Gega, është caktuar masa “arrest shtëpie”, pavarësisht kërkesës së prokurorisë për “arrest me burg”, duke u argumentuar se dyshohet se kanë kryer akte dhune dhe dëmtim të automjetit të policisë.
Për 12 protestues është vendosur masa “detyrim paraqitjeje”, ndërsa 5 të tjerë janë liruar pa asnjë masë sigurie. Seanca gjyqësore zgjati mbi pesë orë dhe u ndërpre përkohësisht pasi një prej protestuesve, Niko Carklaj, shfaqi probleme shëndetësore për shkak të epilepsisë.

Be First to Comment