Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit tragjik të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Berlin, ku një person përplasi me furgon një turmë pjesëmarrësish gjatë aktivitetit “Christopher Street Day” (Krenaria e Berlinit), duke shkaktuar një viktimë dhe të paktën 16 të plagosur.
Përmes një mesazhi publik, Rama shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Gjermaninë dhe popullin gjerman, ndërsa dënoi ashpër çdo akt dhune dhe ekstremizmi.
“Jam thellësisht i trishtuar nga lajmi tragjik që vjen nga Berlini. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, i shpreh solidaritetin tonë të përzemërt Gjermanisë dhe popullit gjerman. Nuk mund të ketë tolerancë për urrejtje, dhunë apo ekstremizëm në asnjë formë. Ato kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat që mbajnë demokracitë tona të bashkuara. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa hezitim. Mendimet e mia janë me familjen e viktimës dhe u uroj shërim të plotë e sa më të shpejtë të gjithë të plagosurve. Shqipëria qëndron pranë Gjermanisë”, shkroi Rama.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën Tiergarten, ku mijëra qytetarë ishin mbledhur për aktivitetin e përvitshëm të Krenarisë së Berlinit. Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e sulmit.


Be First to Comment