Shalqiri është një nga frutat më të preferuar të verës, jo vetëm për freskinë që ofron, por edhe për vlerat e shumta ushqyese. I pasur me ujë, vitamina dhe antioksidantë, ai ndihmon në hidratimin e organizmit, mbështet shëndetin e zemrës, kontribuon në rregullimin e presionit të gjakut dhe mund të lehtësojë edhe dhimbjet e kyçeve.
Megjithatë, përpara se ta shijoni këtë frut, ekspertët këshillojnë të mos neglizhoni një hap të rëndësishëm: larjen e tij para prerjes. Edhe pse pjesa e brendshme e shalqirit është e mbrojtur nga lëkura e trashë, bakteret që ndodhen në sipërfaqe mund të kalojnë brenda gjatë prerjes përmes thikës.
Mikrobe si Salmonella dhe Escherichia coli (E. coli) mund të gjenden në lëkurën e shalqirit për shkak të kontaktit me tokën, ujin, transportit, magazinimit apo prekjes nga shumë persona në dyqane. Nëse fruti nuk lahet, këto baktere mund të transferohen në tul dhe të shumohen, sidomos nëse shalqiri lihet për një kohë të gjatë jashtë frigoriferit.
Si ta përgatisni në mënyrë të sigurt?
Për të ulur rrezikun e helmimit ushqimor, ndiqni disa rregulla të thjeshta:
- Lani duart para dhe pas përgatitjes së frutave.
- Shpëlajeni mirë shalqirin nën ujë të rrjedhshëm.
- Pastroni lëkurën me një furçë të posaçme për fruta dhe perime.
- Thajeni me një peshqir të pastër ose letër kuzhine përpara prerjes.
- Përdorni gjithmonë thikë dhe dërrasë prerëse të pastra për të shmangur kontaminimin.
Edhe pse shalqiri konsiderohet një frut me rrezik të ulët për helmim ushqimor, ai konsumohet i pagatuar, ndaj çdo bakter që mund të jetë i pranishëm nuk eliminohet nga nxehtësia.
Si ta ruani pasi ta prisni?
Pasi të jetë prerë, shalqiri duhet të futet në frigorifer sa më shpejt, idealisht brenda dy orëve. Ai ruhet i freskët për rreth 3 deri në 5 ditë, nëse mbahet në temperaturë 4°C ose më të ulët.
Për ruajtje më të sigurt:
- Vendoseni në një enë ose qese të mbyllur.
- Mbani frigoriferin të pastër për të shmangur kontaminimin nga ushqime të tjera.
- Mos e konsumoni nëse ka erë të pakëndshme, është bërë shumë i butë ose ka ndryshuar ngjyrë.
Ndjekja e këtyre këshillave të thjeshta ju ndihmon të shijoni shalqirin në mënyrë të sigurt gjatë gjithë sezonit të verës.

Be First to Comment